Pasi u shpallën kampion dhe do të përfaqësojnë Kosovën në Ligën e Kampionëve, drejtuesit e Dritës që tani kanë filluar të mendojnë për përforcime serioze në skuadër, me qëllim që të prezantohen sa më mirë në arenën ndërkombëtare.
Kësisoj drejtuesit e skuadrës gjilanase i kanë vënë syrin mbrojtësit të krahut të majtë, Gledi Mici, i cili edhe pse ishte në bisedime për ripërtritjen e kontratës me Shkëndijën, nuk ra dakord. Futbollisti shqiptarë pretendonte një pagë që kapte shifrën e 7 mijë eurove në muaj, shifër kjo e lartë për “kuqezinjtë” nga Tetova, të cilët u tërhoqën.
Në Shqipëri është lakuar Tirana si opsion për Micin, ndërkohë që dëshira e tij është që të luajë në një kampionat më të fortë.
Një kalim në Turqi do t’i pëlqente shumë ish futbollistit të Shkëndijës dhe po punohet që kjo pistë merkatoje të bëhet realitet.
Së fundmi në garë për shërbimet e Micit është futur edhe Drita, kampione e Kosovës, që kërkon të përforcohet me çdo kusht në linjën e majtë të mbrojtjes.