Verder Bremeni dhe Red Bull Lajpcigu janë ende disa milionë euro larg arritjes së një marrëveshjeje për transferimin e Milot Rashicës gjatë afatit kalimtar të verës, ndërsa tani ka filluar lufta e fjalëve edhe publikisht.
Pas raundit të parë të negociatave për transferimin e yllit kosovar, Lajpcigu raportohet të ketë bërë ofertë prej 15 milionë eurove, ndërsa Verder Bremeni thuhet se e ka refuzuar këtë ofertë pasi që po i kërkon 25 milionë euro për Rashicën, shkruan “Deichstube”, transmeton Gazeta Express.
Drejtori sportiv i Bremenit, Frank Baumann, tha se shitja e Milot Rashicës këtë verë nuk është diçka që duhet të kryhet patjetër, por se një numër i madh i klubeve janë interesuar për të. Ky është vlerësuar si mesazh për Lajpcigun: Nëse ju nuk paguani, do ta shesim Rashicën te ndonjë klub tjetër.
Pas kësaj deklarate të drejtorit të Bremenit, drejtori sportiv i RB Lajpcig, Markus Kroshe, u përgjigj, duke thënë se skuadra e tyre është e interesuar edhe për lojtarë të tjerë, në një intervistë për “Sportbuzzer”.
E kjo deklaratë është interpretuar si mesazh për Bremenin: E duam Rashicën, për s’pranojmë çfarëdo çmimi.
Interesimin nga Lajpcigu, por edhe nga klube të tjera, Rashica e ka fituar përmes paraqitjeve të tij mbresëlënëse me fanellën e Verder Bremenit, veçanërisht gjatë pjesës së parë të sezonit, por edhe me fanellën e përfaqësueses së Kosovës.
Në 33 paraqitjet e këtij sezoni në Bundesligë dhe Kupë të Gjermanisë, Rashica i ka regjistruar 11 gola dhe 8 asiste.