Unai Emery është rikthyer në futbollin spanjoll, ku këtë herë do të drejtojë skuadrën e Viljarealit. Një gjë të tillë kanë konfirmuar edhe nga vetë klubi nga “El Madrigal”, të cilët kanë bërë të ditur edhe kohëzgjatjen e bashkëpunimit.
Emery me “nëndetësen e verdhë” ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2023. Ai do të prezantohet ditën e hënë, në një konferencë për shtyp që do të mbahet prej orës 12:30. Emery është një emër i njohur për futbollin spanjoll dhe atë europian, teksa ka drejtuar skuadrat me emër, si Sevilja, Arsenal dhe PSZH.
Ndryhe karrierën e tij si trajner e kishte nisur me Lorca Deportiva, duke e ngjitur në divizionin e dytë dhe më pas të marrë timonin e Almeria.
Në vitin 2007 nisi eksperiencën e parë në La Liga, në krye të Valencias, të cilën skuadër e udhëhoqi për tre vite, duke arritur që të luaj edhe në ndeshjet e Ligës së Kampionëve.
Pak kohë kaloi në Rusi me ekipin e Spartak Moskës, që më pas të rikthehet sërish në Spanjë, për të marrë drejtimin e skuadrës së Seviljës, me të cilën arriti suksese të rëndësishme në kampionat dhe në Liga Europa.
Tanimë sukseset në këtë kompeticion, Emery do ti kërkojë me Viljarealin, skuadër kjo që edicionin e ardhshëm do të prezantojë Spanjën në ndeshjet e Liga Europa.