Emini flet për titullin kampion dhe të ardhmen e tij

Izair Emini gjatë ditës së djeshme edhe zyrtarisht festoi titullin kampion me Dritën e Gjilanit në Superligën e Kosovës, duke vazhduar me ritmin e një kampioni të vërtetë, duke pasur parasysh se ky ishte titulli i katërt rradhazi për futbollistin tetovar, njofton “infOSport.mk”.

Pas titullit me Kukësin në Superligën e Shqipërisë dhe dy titujve të njëpasnjëshëm me Shkëndijën në kampionatin tonë vendor, Emini, dje shtoi edhe titullin kampion të Kosovës, që e fitoi me Dritën, skuadër kjo që udhëhiqet nga  strategu shkupjan, Ardian Nuhiu. Është ky një sukses i jashtëzakonshëm për futbollistin tetovar, i cili që në edicionin e tij të parë në futbollin kosovar, i’a arriti qëllimit që të ngre lartë trofeun e më të mirit.

“Viti i parë në Kosovë dhe kampion. Të them të drejtën ky është viti i katërt rradhazi që unë shpallem kampion dhe kjo është një ndjenjë shumë e mirë për mua personalisht, sidomos pas kësaj eksperience të bukur në Kosovë, ku arrita ta konkretizojë me titullin kampion” – u shpreh fillimisht për “infOSport.mk”, Izair Emini, i cili gjithashtu foli edhe për atë që e pret Dritën në arenën ndërkombëtare, por edhe për të ardhmen e tij.

“Unë kam edhe një vit kontratë me Dritën, d.m.th jam edhe vitin e ardhshëm këtu në Gjilan. Sa i përket arenës ndërkombëtare, presim që të shkojmë sa më larg që është e mundur, por të shohim fillimisht kundërshtarët, edhe pse në këto ndeshje duhet patur fat, sidomos në short” – deklaroi Emini.

Drita pas 32 xhirove në Superligën e Kosovës numëron 68 pikë, 3 më shumë se Gjilani i vendit të dytë, pjesë e së cilës skuadër është djali i tezës së Eminit, Muhamed Useini.

Në këtë rast, Emini i’a doli të triumfojë dhe ti gëzohet titullit, ndërsa mbetet të shihet se si do rrjedhin gjërat vitin e ardhshëm, ku edhe Gjilani dhe Ballkani, duke mos harruar këtu edhe Prishtinën, do të jenë kundërshtarë të fortë, që do të tentojnë ti rrëmbejnë titullin skuadrës së Dritës, që dje festoi titullin e tretë në përgjithësi kampion dhe të dytin në tre vitet e fundit.

 

Leave a Reply