Drita e Gjilanit sot edhe zyrtarisht është shpallur kampione e Kosovës në futboll, kjo falë edhe barazimit 2:2 të dy skuadrave tjera pretendente për titull, Gjilanit dhe Ballkanit.
Kësisoj Drita një xhiro para fundit të sezonit aktual 2019/2020 u shpall kampione, edhe atë për herë të tretë në historikun e saj, derisa ishte ky titulli i dytë në 3 vitet e fundit.
Me këtë rast, një urim special për kampionët e ri të Kosovës ka ardhur nga ylli kosovar i futbollit, Xherdan Shaqiri, një kampion tjetër, i cili këtë vit me Liverpullin e tij festoi titullin e parë pas plotë 30 viteve.
Futbollisti me origjinë nga Gjilani në faqen zyrtare të Dritës në “Instagram”, kishte shkruar: “Urime, simboli i forcës, vendit të parë dhe trofeut”.