Milani i Stefano Piolit po “fluturon” në kampionat, ku është shumë pranë sigurimit të pjesëmarrjes në Europë e në të njëjtën kohë klubi planifikon lëvizjet për të ndërtuar ekipin për sezonin e ardhshëm, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të drejtohet nga Rangnick. Ai që lidh sezonin aktual me atë që do të vijë është pa dyshim Ante Rebic, i cili falë ecurie përrallore gjatë 2020-s e ka bindur kupolën drejtuese të “Djallit” për ta konfirmuar. Për këtë qëllim, menaxheri i tij, Fali Ramadani, pritet që të zbarkojë në Milano të mërkurën të fillojë negociatat për blerjen përfundimtare të sulmuesit nga Eintracht Frankfurti (huazimi dyvjeçar do të skadonte në vitin 2021).
Milani synon ta shkëmbejë me kushte të barabarta me André Silvan (nuk ka dëshirë për të shpenzuar para shtesë), por problem mbetet pronësia e 50% të kartonit të lojtarit kroat nga Fiorentina. Takimi midis palëve do të jetë i dobishëm për të gjetur një marrëveshje.
Sidoqoftë, kuqezinjtë nuk do të diskutojnë vetëm për Rebicin me Fali Ramadanin, i cili është gjithashtu menaxher sulmuesit të Real Madridit, Luka Jovic.
Kohët e fundit, edhe Napoli ka kërkuar informacione për qendërsulmuesin serb të datëlindijes 1997, për këtë arsye Milani dëshiron të përshpejtojë bisedimet për të djegur konkurrencën e të kaltërve. Drejtuesit aktualë të kuqezinjve (dhe trajneri i ardhshëm) me të vërtetë e pëlqejnë shumë Jovicin, por vlera e tij, për momentin, është shumë e lartë për mundësitë ekonomike që ka Milani.
Nga sulmi në mbrojtje. Për të forcuar prapavijën, Milani ka vënë në shënjestër Kristoffer Ajer, qendërmbrojtësin premtues norvegjez, i lindur në vitin 1998 e që është në pronësi të Celtic Glasgow-t. Për nordikun ka interes konkret edhe nga Leicester City, që është gati të bëjë ofertë konkrete për lojtarin./SS