Agim Ademi ka mbushur sot dy vjet që ndodhet në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës. Ademi u emërua president i FFK-së me 6 korrik të 2018-tës, në kuvendin e parë zgjedhor pas vdekjes së legjendës, Fadil Vokrri.
Përveç faktit të avansimit të futbollit të Kosovës, infrastrukturës dhe ecurisë së përfaqësues A të Kosovës në Ligën e Kombeve dhe eliminatoret për Kampionatin Europian, Agim Ademi kontriboi edhe në prurjen e shumë emrave të futbollistëve në përfaqësuesen e Kosovës. Plot 11 futbollist si Florent Hadergjonaj, Andi Zeqiri, Arijanet Muriqi, Orges Bunjaku, Alban Hajdini, Lavdim Zumberi, Amir Saipi, Lorik Ademi, Mark Marleku, Edi Sylisufaj dhe Ibrahim Drasheviq i thanë “PO” Kosovës gjatë këtyre dy viteve që Ademi ishte i pari i federatës së futbollit kosovar.
Puna e të parit të FFK-së, u vlerësua edhe nga presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini.
“Të jesh bartës i barës së udhëheqjes dhe menaxhimit të cilitdo qoftë institucioni në Kosovë është sprovë dhe përgjegjësi e madhe, posaçërisht kur flasim për futbollin që vetëm pak vite më parë është bërë pjesë e familjes së instancave europiane. Prandaj vlerësoj punën që bëhet në Federatën e Futbollit të Kosovës dhe për këtë përgëzoj kolegun tim Agim Ademi dhe ekipin e tij që janë duke dhënë gjithçka nga vetja për të ecur përpara projektet e nisura që prej pranimit të FFK-së në UEFA dhe FIFA. Kanë kaluar dy vite të vështira por edhe të suksesshme dhe besoj që periudha që pason do të sjellë avansim edhe më të madh të këtij sporti në Kosovë. Vlerësoj se Federata nuk duhet e vetme të ec drejt realizimit të qëllimeve, por në këtë rrugë duhet ndihmuar nga gjithë përbërësit e lojës së futbollit. Vetëm ashtu do të ngritet cilësia në nivelet e dëshiruara”, shprehet presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini.