Në NBA ligën profesioniste në orët e fundit kanë filluar të qarkullojnë zëra rreth një transferimi bombë, i cili mund të ndodh vetëm në vitin 2018-të.
Sipas një prej gazetarëve më të besueshëm përsa i përket NBA-së, Adrian Wojnarowski, LeBron Xhejms vitin tjetër mund të kalojë në rradhët e një ndër skuadrave më të mira në historinë e basketbollit amerikan, Los Anxheles Lejkers.
“Nuk ka asnjë garanci që James të qëndrojë te Kavaliersat. Te Klivlendi dhe në instancat e larta të NBA-së e dinë se ai është shumë pranë largimit nga Ohajo me destinacion Kaliforninë dhe LA Lejkersin mund të ishte një zgjedhje e mirë”, shkruan Wojnarowski në artikullin e tij.
Zërat për largimin e Xhejms nga Klivlendi bëhen akoma më të forta edhe për faktin se basketbollisti e ka shfaqur edhe më parë dëshirën për të provuar aventura të reja te skuadra legjendare e Lejkers.
Për më tepër, një problem më vete për Cleveland është edhe aspekti financiar, me skuadrën nga Ohajo që nuk duket se ka rezerva të mjaftueshme për të sjellë emra të rinj në skuadër, edhe pse është folur shumë për blerjen e basketbollistëve të kalibrit, si Kris Poll, Karmelo Entoni dhe Poll Xhorxh.