Gazeta spanjolle “Cadena Ser” raporton se kapiteni i Barcelonës, Lionel Messi, është i lodhur nga akuzat dhe fajësimi për të gjitha problemet në klubin “katalunas” dhe dëshiron të largohet në fund të kontratës së tij aktuale.
I njëjti burim pohon se Lionel Messi i ka ndërprerë bisedimet me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës së tij. Negociatat dukej se po shkonin mirë, sipas bisedave të para mes babait të futbollistit dhe presidentit të Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, mirëpo tani argjentinasi po planifikon të largohet nga klubi “katalunas” sapo t’i përfundojë kontrata aktuale, në qershor të vitit 2021.
Messi e kishte opsionin për t’u larguar nga Barcelona edhe më 10 qershor të këtij viti, mirëpo i njëjti vendosi të mos e shfrytëzojë klauzolën në kontratën e tij, të cilën e nënshkroi në nëntor të vitit 2018 dhe që është e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2021.