Ylber Alili është përforcimi i rradhës tek skuadra e Vardarit nga Forina, që garon në Ligën e Dytë – Perëndim, njofton “infOSport.mk”. Alili te skuadra nga Forina vjen nga ekipi i Gostivarit, ndërsa pa dyshim se do të jetë një freski e madhe për mesfushën e KF Vardarit në sezonin e ri garues.
Ndryshe Alili karrierën e tij e kishte nisur me skuadrën e Milanos me grupmoshat e reja, ndërsa në vitin 2011-të si 18-vjeçar ai u transferua në kampionatin slloven te skuadra e Krshko. Ai u rikthye sërish në vendlindje, duke iu bashkuar skuadrës së Goblenit, me të cilën skuadër në vitin 2018-të arritën suksesin më të madh, duke u inkuadruar në Ligën e Dytë.
Te Gobleni, Alili ishte një lider i padiskutueshëm për 6 vite me rradhë, ndërsa një gjë të tillë dëshmoi edhe në ndeshjet e Ligës së Dytë, kur në sezonin e parë realizoi 5 gola dhe asistoi në pjesën më të madhe të golave të tjerë të skuadrës së tij.
Ndryshe Alili bëhet përforcimi i katërt i KF Vardarit në këtë fillim merkatoje, pasi kjo skuadër më parë nënshkroi edhe me portierin Amir Jashar, Dejan Leskaroskin dhe talentin e Shkëndijës, Kushtrim Tairi (huazim).