Pas më shumë se 3 muajve pauzë, është rikthyer edhe sporti i mundjes në vendin tonë. Federata e Mundjes në Maqedoninë e Veriut ka organizuar një kamp stërvitor për “restart” të këtij sporti me mundës-reprezentues të kategorive të ndryshme junior, kadetë dhe senior. Gjithsej 18 mundës të udhëhequr nga dy trajnerët Sedat Baftiu dhe Sufjan Ismaili janë vendosur në Mavrovë dhe kanë nisur stërvitjet në ambient të hapur, duke ju nënshtruar të gjitha protokollove anti Kovid 19.
Mundësit fillimisht kishin matjet zyrtare dhe më pas nisën edhe me stërvitje të lehta. Njëri nga profesorët universitar Blerim Saiti ishte në matjen e mundësve, i cili sqaroi se si kaloi e gjithë procedura.
Blerim Saiti, profesor
“Këtu momentalisht ka patur parametra morfologjike janë marrë tek mundësat dhe një pjesë e testimeve aftësive specifike-motorike, ndërsa sot kemi patur me profesor Zharkon testimet e aspektit fiziologjik tek sportistët dhe disa testeve aftësive motorike tek mundësat”.
Sedat Baftiu, trajner
“Kjo është hera e parë që i mbledhim tre gjenerata, kadetëve, juniorëve dhe seniorëve. I kemi grumbulluar të gjithë këtu, që edhe të shoqërohemi, të stërvitemi në një atmosferë shumë të mirë. Është hera e parë që kemi bërë një grumbullim të tillë për përgatitje bazike dhe besoj që rezultati nuk do të na mungon”.
Në kampin në Mavrovë në vizitë ishte edhe kryetari i Federatës së Mundjes në vendin tonë, Betim Vrenezi së bashku me përfaqësues të Agjencionit për Rini dhe Sport, me këta të fundit që vlerësuan punën e federatës së mundjes.
Betim Vrenezi, kryetar i FMMV-së
“Pasi u lehtësuan masat nga Qeveria, vendosëm që menjëherë së bashku me stafin professional të trajnerëve të organizojmë përgatitjet që të vazhdojmë sa më shpejt ti rikthehemi arenës pasi kemi humbur shumë kohë dhe është vështirësi për sportistët që ta rikthejnë formën”.
Mundësit-reprezentues në Mavrovë do të qëndrojnë për 3 javë, ku do të përgatiten për garat ndërkombëtare që do të nisin nga muaji shtator./Shenja/