Emran Ramadani është rikthyer te Renova, nga e cila skuadër verën e vitit të kaluar ishte transferuar te Struga Trim Lum, njofton “infOSport.mk”. Ramadani në këtë mënyrë rikthehet në folenë e vjetër për të përforcuar edhe më shumë vijën e sulmit të skuadrës nga Xhepçishti, me të cilën do të ketë mundësinë të luaj edhe në garat e Liga Europa.
Është kjo hera e tretë dhe rikthimi i dytë për Ramadanin te Renova, të cilës skuadër për herë të parë i ishte bashkuar gushtin e vitit 2013-të. Ai kishte kaluar gati 5 vite te Renova, teksa janarin e vitit 2018-të vendosi të transferohet në Shqipëri te skuadra e Partizanit, transmeton “infOSport.mk”.
Te kjo e fundit qëndroi vetëm 6 muaj, duke u rikthyer sërish te Renova, me të cilën skuadër si duket ka një dashuri të pashuar, ndërsa më së miri dëshmojnë edhe të dhënat statistikore.
Ramadani me Renovën gjatë karrierës së tij ka zhvilluar plotë 152 ndeshje zyrtare, duke regjistruar 30 gola dhe 10 asistime.
Kujtojmë ditë më parë drejtuesit e Renovës rinovuan kontratat me 10 futbollistë, duke bërë me dije se i besojnë kontigjentit të futbollistëve që kanë dhe trajnerit të tyre, Bujar Islami, me të cilin gjithashtu vazhduan bashkëpunimin edhe për një vit tjetër.