Te Vllaznia nuk mund të vazhdohej të punohej, ishte e pamundur! Ishte kjo mënyra e përmbledhur në pak fjalë sesi trajneri Mirsad Jonuz e ka komentuar vendimin e marrë për t’u larguar nga skuadra shkodrane.
I ftuar në emisionin “Fair Play” që transmetohet në “Syri TV”, tekniku nga Shën Nikolla e Maqedonisë, ka treguar problemet që kishin lojtarët e tij.
Nga mungesa e parave për karburant dhe për të paguar dritat, ku ishte e pamundur që të kërkohej më tepër. Gjithashtu Jonuz është shprehur se te Vllaznia ka një lojë politike që po prish shumë punë.
“Qëndrova te Vllaznia për 10 muaj. Dhashë gjithçka për Vllazninë. Kam punuar çdo ditë, por çdo ditë kam patur probleme. Kam folur me drejtorin sportiv dhe administratorin, por duheshin sqaruar problemet. Edhe pasi i sqaronim, dilnin probleme të tjera. Erdha te Vllaznia jo për para, as për karrierë, por për dëshirën time. Po flas hapur. Kam patur tre oferta. Një në Iran me një shifër 3 mijë dollarësh.
Problemi i fundit për mua janë paratë. Por, nëse përballësh çdo muaj me problemet financiare të lojtarëve, do të kisha edhe 10 herë më tepër greva nga lojtarët. Çdo ditë flisja me lojtarët që duhet të vazhdonin të punonim. Shpenzoja energji për këtë, duke mos patur mbështetje. Erdha te Vllaznia më 18 maj dhe vazhdova direkt stërvitjen, sepse qëndrova në karantinë për 14 ditë. Fola me lojtarët për problemet. Njëri më tha se nuk kishte para për të paguar dritat. Një tjetër më tha se nuk kishte para për karburant. Fola me administratën, për mua është shumë e rëndësishme që problemi i dietës ushqimore të zgjidhet.
Problemi nuk është te administratori Suad Lici. Problemi është se në Shkodër ka një lojë politike që futet Vllaznia. Vetëm për 7 ditë është shpenzuar buxheti i vitit 2020. Për një klub është e domosdoshme që gjithçka të sqarohet”, – ka thënë Jonuz, i cili me Vllazninë e tij sot pësoi një disfatë të rëndë në udhëtim ndaj Laçit (2:5).
Mirsad Jonuz drejtimin e Vllaznisë së Shkodrës e morri me 17 korrik të vitit të kaluar, duke udhëhequr këtë skuadër në 29 ndeshje, duke regjistruar 12 fitore, 8 barazime dhe 9 disfata.