Futbollisti i talentuar shqiptarë më origjinë nga Kumanova, Valon Hamdiu, i cili aktualisht është pjesë e skuadrës zvicerane të Vintertur, ka përgënjeshtruar zërat e fundit, lidhur me një kalim të tij të mundshëm te përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut. Në një prononcim ekskluziv për “infOSport.mk”, Hamdiu tha se deri më tani askush nuk e ka kontaktuar nga vendlindja e tij.
“Deri më tash mua askush nuk më ka kontaktuar, sinqerisht nuk e di nga kanë dalë këto informacione. Unë jam pjesë e Kosovës, kjo është e vërteta për momentin” – tha enkas për portalin tonë Valon Hamdiu.
21-vjeçari Hamdiu luan si qendër mbrojtës, ndërsa llogaritet si një talent me të ardhme të ndritur. Ai nga muaji maj u pajis me pasaportë kosovare, edhe atë drejtëpërdrejtë nga presidenti i shtetit tonë fqinjë, Hashim Thaçi, duke iu bashkuar kështu përfaqësueses U21 të Kosovës.
Kujtojmë se përveç Maqedonisë së Veriut, më herët për ta bërë për vete kishte tentuar edhe Kombëtarja e Shqipërisë.