Futbolli në Kosovë ka marrë dritën jeshile për të ristartuar, ndërsa siparin në këtë kohë pandemie “Covid 19”, do ta rihapin ndeshjet gjysmëfinale të Kupës.
Në takimin e mbajtur mes zyrtarëve të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe përfaqësuesve të katër klubeve gjysmëfinaliste janë konfirmuar edhe datat e zhvillimit të ndeshjeve.
Nga mbledhja e mbajtur, gjithashtu u vendos që formati i Kupës të zhvillohet ashtu siç është me rregullore me dy ndeshje, vajtje-ardhje.
Kësisoj ndeshja e parë në futbollin kosovar do të zhvillohet me 2 qershor, kur Prishtina në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë do të përballet me Drenicën, teksa ndeshja e kthimit në program është me datë 17 qershor.
Ndërkohë gjysmëfinalja e dytë do të zhvillohet me datë 3 qershor, kur Ballkani si vendas do të mirëpret Feronikelin. Ndeshja e kthimit në Drenas, në program do të jetë më 17 qershor.