Një lajm aspak i mirë për Khabib Nurmagomedov. Krahu i djathtë i tij gjatë gjithë karrierës, babai Abdulmanap është shtruar në spital që muajin e kaluar për pneumoni dhe simptoma të gripit, megjithëse nuk kishte asnjë konfirmim se ai kishte koronavirus. Këto simptoma bënë që ai të rikthehet sërish në spital javën e kaluar, këtë herë me probleme në zemër.
57 vjeçari Abdulmanap tashmë është dërguar në spitalin e Moskës me një fluturim special, raportojnë mediet në Rusi.
“Abdulmanap është në gjendje të keqe, ai është në Moskë dhe në gjendje kome”, – ka thënë një burim.
“Ai nuk u trajtua si duhet në Dagestan dhe i janë shfaqur disa ndërlikime. Ata e dërguan në Moskë, dhe tani ndodhet në një spital ushtarak. Ai është i vetëm atje, ata nuk e lejojnë familjen ta vizitojë”.
Sëmundja e babait të Khabib mendohet se është si pasojë e ecjes dy ditore në kushte ngrirjeje në malet e Makhaçkala.