Tashmë thuajse gjithçka është zyrtare. Bundesliga gjermane ka vendosur të rikthehet për të vazhduar sezonin 2019/2020. Kështu elita e futbollit gjerman bëhet liga e parë nga ato kryesore, që do të vazhdojë sezonin.
Pasi qeveria dha dritën e gjelbër për rifillimin e sezonit, DFL ka vendosur që 15 maji të jetë data kur në program do të jenë ndeshjet e javës së 26-të.
Kjo xhiro, përveç që do të jetë speciale për futbollistët dhe tifozët pas një pushimi kaq të gjatë dhe të padëshiruar, do të sjellë edhe disa derbi.
Borusia Dortmundi, që vazhdon ndjekjen e Bajernit të Munihut zhvillon derbin lokal kundër Shalke 04. Kjo ndeshje tashmë siç dihet do të zhvillohet pa tifozë, njëjtë sikurse edhe ndeshja midis Verder Bremenit të Milot Rashicës dhe Bajer Leverkusenit, teksa Bajerni i Munihut do të përballet me Union Berlinin.
“Bavarezët” udhëheqin renditjen tabelare pas 25 xhirove të para me 55 pikë, 4 më shumë se Borusia Dortmundi i vendit të dytë, teksa TOP5 mbyllet me Lajpcigun (50), Borusia Menhengladbahun (49) dhe Bajer Leverkusenin (47).