Futbollisti me origjinë nga Kumanova, Taulant Seferi është një nga emrat që premtojnë shumë për të ardhmen. Sulmuesi 23-vjeçar është në pronësi të skuadrës së njohur zviceriane të Jang Bojs, por që këtë sezon është huazuar te Ksamaksi për të fituar më tepër eksperiencë.
Futbollisti njihet edhe për dozën e lartë të patriotizmit, ku i ka refuzuar pa e menduar dy herë ftesat e Maqedonisë së Veriut për Kombëtaren kuqezi, e cila ia shpërbleu me një debutim në fushën e lojës.
Ndërkohë në një intervistë në “Instagram” për “Telegrafin” e Kosovës, Seferi zbulon edhe planet për të ardhmen e tij.
Futbollisti “kuqezi” thekson se fillimisht do të kërkojë qendrimin te Jang Bojs, ku në rast se nuk do të ketë hapërisa atëherë do të largohet në një tjetër skuadër. Kampionati që synon ta shohë veten duke luajtur është Bundesliga gjermane, ndërsa zbulon se për të ka pasur edhe interesime nga disa klube të “Serie A”.
“Momentalisht jam i huazuar te Ksamaksi dhe në fund të sezonit do të rikthehem te Jang Bojs. Menaxherët e mi do të bisedojnë me klubin nëse do të mbetëm aty, në rast se do kem hapësira apo do të largohem. Bundesliga është kampionati ku synoj që një ditë të luaj, pasi më pëlqen shumë dhe besoj që do të përshtatem mirë. Është e vërtetë që ka pasur interesime edhe nga ‘Serie A’, pasi menaxheri ka pasur disa biseda, por në fund nuk u bë diçka konkrete. Gjithsesi unë jam i fokusuar momentalisht tek Ksamaksi e pastaj të bisedoj me Jang Bojsin para se të marrë hapin tjetër në karrierë”, është shprehur Taulant Seferi, i cili karrierën e tij e kishte nisur në vendlindjen e tij në Kumanovë te skuadra e Milanos, që më pas të luaj për të rinjtë e Rabotniçkit, te e cila skuadër depërtoi edhe në ekipin e parë, nga e cila janarin e vitit 2015-të vendosi ti bashkohet skuadrës së Jang Bojs.