Ndeshja Maqedoni e Veriut – Kosovë, është një ndër ndeshjet që pritet me shumë interesim nga gjithë shqiptarët dhe futbolldashësit e shumtë në vendin tonë. E njëjta ishte paraparë të zhvillohet me 26 mars, që më pas të shtyhet për datë 4 qershor, ndërsa data përfundimtare ende nuk është caktuar, edhe pse si opcion mbeten muajt tetor dhe nëntorë.
Lidhur me këtë takim dhe rolin e favoritit, në një prononcim për “Fan Zone” në SuperSport, ka folur Agim Ibraimi, futbollisti shqiptarë, që aktualisht është pjesë e Shkëndijës së Tetovës.
“Unë mendoj se Maqedonia është favorite në këtë ndeshje. Unë nuk mund të jem pjesë në këtë ndeshje.”, u shpreh Ibrahimi për “Supersport”.
Agim Ibraimi është një ndër futbollistët më të mirë shqiptarë nga vendi viteve të fundit, ndërsa kulminacioni i tij ishte me skuadrën e Mariborit nga Sllovenia, me të cilën luajti me mjaft sukses edhe në Ligën e Kampionëve. Ai gjithashtu provoi veten edhe në “Serie A” me skuadrën e Kaljarit, ndërsa para se të pranonte ofertën e Shkëndijës, ai kishte luajtur edhe me skuadrat, si Red Bull Salzburg, Olimpija, Eskishehirspor, Nafta, Astana dhe Domzhale.
Me fanellën e përfaqësueses A të Maqedonisë numëron 39 ndeshje dhe 7 gola të shënuar.