UEFA është duke u përballur me probleme të shumta së fundmi, që me pezullimin e futbollit për shkak të Koronavirusit, duhet të gjejë një zgjidhje për të gjitha kampionatet.
Misioni është të mbyllet sezoni deri në fund, por nëse kjo në disa vende është e pamundur, atëherë padyshim që do të ketë lëshime. Është pikërisht ky vendimi më i rëndësishëm i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, i dhënë së fundmi.
Kjo mund të përkthehet edhe si një zbutje nga UEFA, teksa vetëm pak ditë më parë, presidenti Aleksandër Çeferin, ishte i prerë, duke thënë se të gjitha Federatat duhet të përfundojnë kampionatet, pasi në të kundërt do të ketë penalizime.
Në vendimin e fundit, UEFA sqaron sërish se sezonet duhet të mbyllen, por bën një hap pas, kur thotë se “në raste të veçanta, kur pandemia e bën të pamundur rinisjen e futbollit, atëherë do të bëhen lëshime.
Ndërkohë, një tjetër risi e dalë nga video-konferenca e fundit me sekretarët e përgjithshëm të 55 federatave anëtare, UEFA ka vendosur datën 3 gusht si afat për të përfunduar kampionatet dhe kupat kombëtare. Kjo do t’i jepte më pas kohë qeverisë europiane të futbollit të çonte deri në fund Kupat e Europës, që gjithashtu janë ndërprerë.