Koronavirusi është mallkimi i Jasir Asanit. Sulmuesi i Partizanit u huazua merkaton e janarit te AIK në Suedi dhe në ato pak raste që zbriti në fushën e lojës arriti të gjejë rrugën e rrjetës dhe të fitojë vlerësime të shumta, por përhapja e Covid-19 dhe ndalimi i të luajturit futboll ndodhi në momentin më të papërshtatshëm për 24-vjeçarin.
Tabloidi suedez “Expressen Sport” raporton se AIK nuk ka në plan “të ekzekutojë” klauzolën e blerjes së Asanit dhe sulmuesi pritet të kthehet te Partizani në verë. Asani u mor nga skuadra suedeze për të zëvendësuar sulmuesin Nahil Bahui, që pësoi një dëmtim serioz në gju dhe rikthimi i tij koiçidonte me fundin e sezonit të rregullt.
Megjithatë, tashmë gjithçka është ndalur dhe kjo ka kaluar në favor të 29-vjeçarit, i cili është rikuperuar nga dëmtimi në gju dhe është gati të rikthehet në fushën e lojës. Bahui konsiderohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës dhe vështirë se Asani mund t’i marrë vendin e titullarit, pas vetëm disa ndeshjeve të luajtura.
Kështu, Jasiri humbet mundësinë për të vazhduar të luajë në Europë dhe Partizanit i ikën shansi të fitojë një shumë të konsiderueshme të ardhurash nga shitja e tij. Mbetet të shihet se ç’do të ndodhë në hapjen e merkatos, pasi Asani ka treguar një nivel shumë të mirë dhe mund të ketë edhe oferta të tjera kundrejt tij dhe klubit kampion. (vipsport.al)