Futbolli aktualisht është pezulluar për shkak të koronavirusit dhe institucionet përgjegjëse po punojnë për të rikuperuar pjesën e mbetur të sezonit, gjatë muajve të verës, për të shmangur kështu edhe një dëm ekonomik të madh për klubet.
Megjithatë shefi i zyrës ligjore të FIFA-s, Emilio Garcia Silvero ka ngritur alarmin se lojtarët që kanë kontratë deri në fund të muajit qershor me klubet përkatëse, nuk mund të luajnë pas kësaj date, veçanërisht ata që janë në huazim.
“Në bazë të hapësirave ligjore, një lojtar të cilit i përfundon kontrata më 30 qershor, nuk mund të luajë përtej kësaj date, nëse nuk bëhet një rinovim i kontratës. Më e komplikuar është çështja për futbollistët e huazuar, pasi pas datës 30 qershor ata duhet të kthehen në ekipet e tyre, por edhe aty nuk mund të luajnë, pasi nuk mund të federohen deri në hapjen e merkatos. Zgjidhja e vetme është një rregullore “Ad hoc”, që kërkon një konsensus të gjerë mes klubeve dhe shoqatave të futbollistëve”, tha Silvero.