Federata e Futbollit të Gjermanisë ka njoftuar se Bundesliga dhe ligat e tjera nuk do të jenë aktive deri të paktën më 30 prill. Koronavirusi ka bërë që pesë ligat evropiane të suspendohen dhe ende nuk dihet sigurt se kur mund të rikthehen në aksion.
Gjermania është ndër vendet më të prekura në Europë, me 67 mijë njerëz të infektuar dhe 682 të vdekur, dhe kjo ka shtyrë Federatën e Futbollit të Gjermanisë që ta shtyjë rinisjen e kampionateve të paktën deri në maj.
Në një takim të UEFA-s gjatë këtij muaji u vendos që Kampionati Europian që duheshe të zhvillohet gjatë muajit qershor të këtij viti, të shtyhet për verën e vitit 2021, në mënyrë që klubet të kenë kohë ta mbyllin sezonin 2019/20.
Pothuajse e gjithë Bota është duke u përballur me virusin “Covid-19”, që ka bërë që të pezullohet pothuajse të gjitha evenimentet sportive në botë. Deri më tani janë infektuar mbi 800 mijë njerëz dhe kanë vdekur mbi 39 mijë persona.