Kapiteni i Real Madridit, Serhio Ramos, është rikthyer të flasë për ndeshjen finale të vitit 2014-të kundër Atletiko Madridit në kuadër të Ligës së Kampionëve Europian, kur falë tij “mbretërit” në fund arritën trofeun e 10-të në Europë, ndryshe i njohur si “Decima”.
Ishte ajo një ndeshje e paharuar për mbrojtësin spanjoll, i cili me golin e shënuar në minutën e 93-të i siguroi vazhdimet dy herë nga 15 minuta Realit të Madridit, skuadër kjo që më pas rezultoi të jetë perfekte dhe në fund të shënojë fitore me shifrat 4:1.
Golat për “madrilenët” në atë finale të madhe të zhvilluar në Lisbonë në 30 minutat e kohës shtesë i kishin shënuar Bejll (110’), Marselo (118’) dhe Ronaldo (120’), teksa golin e vetëm për Atletiko Madridin, që ishte shumë afër trofeut më të çmuar europian, e kishte realizuar Diego Godin.
“Goli që shënova në ‘Decima’ ndryshoi historinë e klubit tonë. Pas golit të shënuar në derbi i thashë vetes: ‘Mund të vdes i qetë. Ishte goli i jetës sime’”, deklaroi qendërmbrojtësi.
Serhio Ramos ka fituar gjithçka në karrierën e tij, por Çampionsi i 10-të ka qenë më i dalluari si duket për të.
https://www.youtube.com/watch?v=Ji021RYgGXQ