Mark-Andre Ter Shtegen është një portier i veçantë. Gjermani është përmirësuar shumë që prej arritjes te Barcelona në vitin 2014-të dhe është ndër më të mirët në botë në rolin e tij. 27-vjeçari futet te personat e rrallë që nuk preferon të shohë ndeshje.
90 minutat e tij në javë i dalin dhe i mjaftojnë. Në një deklaratë për “El Pais”, Ter Shtegen nis e tregon se si nuk i plas fare për emrat e kundërshtarëve.
Ai nuk i mban mend fare, madje as pasi i studion në video përpara ndeshjeve. “Zakonisht nuk shikoj ndeshje futbolli. E bëj vetëm kur luhet ndonjë përballje e madhe ose kur zbret në fushë ndonjë mik i imi. Kur më pyesin për emrat e kundërshtarëve mbes pa përgjigje, nuk i njoh. Rrallë ndodh që të shoh ndonjë video të rivalëve dhe të më kujtohet më pas në ndeshje” – është shprehur gardiani gjerman, i cili ka folur edhe temën aktuale, Koronavirusin.
“Po e përjetoj me qetësi karantinën time. Futbolli nuk është aspak përparësi në këto momente, kështu që qëndroni të gjithë në shtëpi”, – deklaron portieri gjerman i Barcelonës.