Sulmuesi kosovar, Vedat Muriqi po kalon një formë fantastike këtë edicion me fanellën e Fenerbahçes, duke zgjuar kështu interesimin e shumë skuadrave të njohura europiane.
25-vjeçari nga Prizreni po kërkohet nga Lacio, Napoli, Fiorentina, Totenham, Leçester Siti, Njukasëll Junajted, Ajntraht Frankfurt, Bërnli dhe Monako.
Mirëpo e gjithë kjo ka sjellë një sherr mes drejtuesve të klubit nga Stambolli, që janë ndarë në dysh sa i përket të ardhmes së Muriqit.
Mediat turke kanë raportuar se disa nga drejtuesit e klubit janë pro shitjes së kosovarit në verë për shumën e 25 milionë eurove, mirëpo një pjesë tjetër e drejtuesve refuzojnë shitjen e Muriqit, pasi besojnë se qëndrimi i tij edhe për një vit në Stamboll do t’i sillte të ardhura edhe më të mëdha skuadrës së tyre.
Drejtuesit që janë kundër shitjes së Muriqit janë të bindur sipas medieve turke se çmimi i prizrenasit pas një viti do të kapte shifrën e 40 milionë eurove.
Gjithsesi vetë Vedat Muriqi ka shprehur dëshirën për të qëndruar te Fenerbahçe, pasi ai në Turqi ndihet sikur të jetë në vendlindjen e tij në Kosovë.
Kujtojmë Vedat Muriqi pjesë e futbollit turk është që nga gushti i vitit 2014-të, kur nga Teuta e Durrësit ishte transferuar te skuadra e Giresunspor, që më pas të veshë edhe fanellën e skuadrave si Gençlerbirligi dhe Rizespor, nga e cila skuadër verën e vitit të kaluar u transferua te gjigandët e Fenerbahçes.
Në 28 ndeshje të zhvilluara këtë edicion me fanellën e skuadrës nga “Shukru Saraçogllu”, Vedat Muriqi, ka arritur të realizojë 15 gola.