UEFA nuk pushon së punuari, për të gjetur zgjidhjen e duhur për kampionatet europiane të futbollit, e në veçanti atyre 12 kampionateve që kanë ekipe garuese në dy kompeticionet më të rëndësishme europiane, Ligën e Kampionëve dhe Liga Europa.
E gjithë kjo, bëhet për të mos i dhënë avantazh asnjë skuadre në kompeticionet europiane. Problemi kryesor është që në maj është e vështirë të rinisin kampionatet dhe opsioni tjetër është që të luhet përtej mesit të gushtit.
Dy opsione janë në tavolinë, që ndeshjet të luhen sikurse është kalendari tani, me ndeshjet e kampionateve në fundjavë dhe sfidat europiane në mesjavë.
Skenari tjetër është që të luhen fillimisht ndeshjet e kampionateve dhe kupave kombëtare, këto deri në mesin e muajit korrik, e më pas të zhvillohen ndeshjet e Ligës së Kampionëve dhe Liga Europa, me finalet që do të luhen një javë pas mesit të gushtit.
Kështu do të kishte 7-10 ditë pushim para nisjes së sezonit të ri, që mund të shtyhet për në 12 shtator dhe për t’u mbyllur më pas deri më 1 qershor të vitit 2021.
Nëse do të ndodhë që kampionatet të mos nisin edhe në mes të qershorit, atëherë do të vendosej në rrezik sezoni pasardhës dhe ndryshimi i formatit të Ligës së Kampionëve dhe Liga Europa do të jetë i detyrueshëm, duke i bërë gjysmëfinalet me një takim dhe më pas finalja të luhet pas 2-3 ditësh.