Kontrata e mesfushorit të Kombëtares shqiptare të futbollit Klaus Gjasula me skuadrën gjermane të Paderborn, i skadon gjatë verës, mirëpo si duket futbollisti “kuqezi” ka vendosur që tani për të ardhmen e tij.
Mediat gjermane raportojnë se Gjasula nuk ka ndër mend të largohet nga Paderborn, edhe nëse kjo skuadër do të zbresë në Bundesliga 2.
Ndonëse atë e kanë kërkuar skuadra të tjera, Gjasula mendon se është në ekipin e duhur ku është stabilizuar dhe njeh mirë ambientin. Ndaj që para se të niste kriza e koronavirusit dhe të ndërpritej kampionati për shkak të infeksionit, ai ishte ulur në tavolinën e bisedimeve për të folur me drejtuesit e klubit të Paderborn për një kontratë të re.
Sipas të përditshmes gjermane, “Kicker”, ka një akord paraprak mes palëve për të vazhduar bashkëpunimin me një kontratë afatgjatë, pasi Gjasula është një prej shtyllave të skuadrës dhe nuk është rastësi që atij shpeshherë i është besuar edhe shiriti i kapitenit gjatë sezonit aktual.
Paderborni i Gjasulës pas 25 xhirove në Bundesligë, mban fenerin me vetëm 16 pikë, dy më pak se Verder Bremeni i Milot Rashicës që renditet në pozitën e 17-të.