Superiorja ka ndalur pa u mbyllur faza e tretë, që në program kishte edhe një takim. Shkak u bë situata krijuar në vend nga përhapja e Koronavirusit. Fillimisht nuk u mendua që gjendja do të rëndohej kaq shumë, por më pas u vendos të mos luhej më.
Plani ishte që të vazhdohej të zhvilloheshin kampionatet me dyer të mbyllura, ndërkohë që aktualisht UEFA ka këshilluar që sezoni të përfundojë deri më 30 qershor. Dëshira është kjo dhe para pak ditësh, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF, u shpreh se do jetë e vështirë që të vendoset fatet e këtij kampionati në tavolinë.
“Nuk është menduar për mbylljen e garës tani. Nuk mendojmë se kjo situatë do vazhdojë pafundësisht. Shpresojmë që kjo situatë të normalizohet dhe të rikthehemi sa më shpejt në jetën normale. Kam dëgjuar edhe opsione të tjera, por më duket më i pamunduri që kampionati të jepet në tavolinë dhe të ndërpriten tani. Shpresojmë që kampionatet të fillojnë shumë shpejt”, deklaroi Shulku në “Studio Sprint” në ABC News.
PLANI B – Momentalisht nuk dihet akoma se çfarë do të ndodhë me kampionatin. Rastet me COVID-19 po vijnë e shtohen, ndërkohë që ka edhe viktima në vendin tonë. Parashikohet që gjendja të përkeqësohet dhe më pas çdo gjë besohet se do të shkojë drejt normalizimit, gjithmonë nëse do të ndiqen udhëzimet e autoriteteve.
Sa i takon Superiores, ABC News mëson se në FSHF po mendojnë edhe ndryshimin e skemës së Superiores. Kjo do të ndodhë nëse kampionati nuk nis deri në muajin qershor. Renditja aktuale konsiderohet si përfundimtare, me Tiranën kampione, kurse Kukësi e Laçi shkojnë në Europë. Me Skënderbeun të dënuar, përfiton Teuta e pozicionuar në vendin e pestë.
Po me ekipet që bien çfarë ndodh? Po mendohet që kampionati të bëhet me 12 ose 14 skuadra dhe Luftëtari e Flamurtari të shpëtojnë, ndërkohë që në garë mund të shtohen Pogradeci, Apolonia, Kastrioti dhe Besëlidhja. Ose vetëm dy skuadrat e para në grupet e së Parës, liqenorët dhe krutanët.
Gjithsesi ende nuk ka asgjë përfundimtare, por në FSHF po i mendojnë të gjitha, pasi është e vështirë të parashikohet se si do të rrjedhin ngjarjet në vazhdim.