E ardhmja e Milan është e paqartë. Ajo që dihet është fakti që drejtuesit duan të krijojnë një skuadër me moshë shumë të re dhe paga jo shumë të larta. Ivan Gazidis dështoi me një projekt të tillë tek Arsenal dhe CEO i klubit nuk hyn te të preferuarit e tifozëve.
Yje si Donnarumma dhe Romagnoli mund të përfundojnë në treg, teksa në dyshim është e ardhmja e Zlatan Ibrahimovic te kuqezinjve.
“Unë them që Ibra nuk do të jetë pjesë e Milanit sezonin e ardhshëm”, është shprehur qartë Gianluca Di Marzio, gazetari i njohur italian, për Sky Sport 24.
Klubi italian po ndjek me interes një qendërmbrojtës. Ai është Obite Evan N’Dicka, 20-vjeçari i Ajntraht Frankfurt, i cili aktivizohet edhe si mbrojtës i majtë e shkatërrues.
Lojtari ka debutuar me Francën U21 nëntorin e kaluar dhe këtë sezon numëron 25 ndeshje të zhvilluara me skuadrën gjermane, duke shënuar edhe 1 gol.
Sky Sports raporton se për të interesohet edhe Interi. Të dy klubet e Milanos pritet të zhvillojnë një “derbi” në merkato për shërbimet e N’Dicka, për të cilin nuk mungojnë ofertat edhe nga Premierliga angleze.
Milan shpreson të përfitojë nga marrëdhëniet e mira të krijuara me Ajntrahtin e Frankfurtit pas operacioneve të Ante Rebiç dhe Andre Silva.