Vendimi që ndeshja të zhvillohet pa shikues për shkak të koronavirusit nuk është pritur mirë nga askush, por shëndeti është mbi të gjitha, thotë Egzon Bejtullai, mbrojtësi tetovar, i cili gjatë merkatos së janarit braktisi Shkëndijën për tu transferuar në Suedi te skuadra e njohur e Helsinborgut.
Bejtullai thotë se mos-prania e shikuesve do ta bëjë më të zbehtë këtë ndeshje, që pritej me padurim nga tifozët e futbollit si në vend, ashtu edhe në Kosovë.
“Futbolli luhet për spektatorët dhe sigurisht që, të luash pa tifozë nuk është e njëjtë. Por, të presim e ta shohim vendimin përfundimtar, sepse e kam përshtypjen së për momentin asgjë nuk është e qartë, duke e parë shtrirjen që po e merr virusi korona në gjithë botën”, – shprehet Bejtullai, i cili ka një mesazh edhe për tifozët maqedonas dhe ata shqiptarë të Kosovës.
“Mesazhi im për të gjithë, jo vetëm për këtë ndeshje, por në përgjithësi për futbollin është që secili të kënaqet me ekipin që e do, ta mbështesë atë që ia do zemra dhe ta shijojnë futbollin si lojë universale me respekt për lojtarët e ekipit të tij, kundërshtarin dhe të gjithë përbërësit e një ndeshje futbolli”, – shprehet tutje mbrojtësi shqiptarë.