Pezullimi i kampionatit shqiptarë pa afat të caktuar pak ditë më parë dhe gjendja në të cilën ndodhet vendi për shkak të ruajtjes nga virusi “COVID-19”, duket se do të detyrojë që nesër të ketë një tjetër dalje zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit në lidhje me kampionatin.
Themi kështu, pasi disa ekipe kishin planifikuar që të zbresin nesër në fushën e stërvitjes, siç janë Vllaznia e Teuta, apo dhe të tjerë që edhe e kishin të konfirmuar, por duket se shkodranët e shtynë sot në mesditë duke lajmëriuar stafin e lojtarët se stërvitja nuk do të nisë nesër.
Të njëjtën gjë bëri edhe klubi durrsak që duket se ka njoftuar stafin dhe skuadrën se do të mblidhen ditën e martë dhe nesër pritet që të ketë një njoftim tjetër edhe për ta.
Por, duket se do të jetë FSHF ajo që do të udhëzojë klubet se çfarë rrjedhë do të kenë skuadrat, aq më tepër që kampionati tashmë është në pikën e vet më kulminante.