Gazeta italiane, “Il Messaggero”, raporton se Interi dhe Roma e kanë refuzuar sugjerimin e UEFA-s për t’u tërhiqur nga Liga Europa, shkaku i përhapjes së madhe të koronavirusit në Itali.
UEFA raportohet se u ka kërkuar Romës dhe Interit të tërhiqen për të mos marrë pjesë më në Liga Europa, në mënyrë që ndeshjet e kësaj gare të mundë të vazhdojnë në mënyrë të rregullt, transmeton Gazeta Express.
“Il Messaggero” më tutje shkruan se presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, shpreson që gara në Liga Europa do të vazhdojë sipas planeve fillestare, në mënyrë që Kampionati Europian 2020 të mos përballet me probleme këtë verë.
Këtë qëllim UEFA kishte shpresuar ta realizojë duke e vazhduar garën pa klubet italiane, pasi që u kërkoi atyre të hiqnin dorë nga Liga Europa.
Qeveria spanjolle ka vendosur t’i anulojë udhëtimet mes Spanjës dhe Italisë, duke sjellë probleme edhe për Romën, edhe për Interin, të cilat supozohej të luanin sot kundër Seviljës dhe Getafes në 1/8 të finales.
Ndërkohë, Juventusi është vendosur në karantinë pasi mbrojtësi Daniele Rugani doli pozitiv në testin për virusin Covid-19 dhe ndeshja kthyese kundër Lionit në Ligën e Kampionëve është vënë në rrezik.
“Il Messaggero” shkruan se UEFA ka kërkuar që edhe Interi e edhe Roma ta përjashtojnë veten nga Liga Europa, mirëpo raporton më tutje se dy klubet italiane e kanë refuzuar këtë kërkesë menjëherë.
Pas refuzimit të ofertës nga klubet italiane, UEFA thuhet se i siguroi ato se nuk do t’i përjashtojë pa dëshirën e tyre nga gara, pasi që vendasi nikoqir duhet ta marrë fajin për dështimin e ndeshjes, pasi që Roma ishte e supozuar të luante në Seviljë.