Pas Marko Jovanovskit, Shkëndija sot ka zyrtarizuar ndarjen edhe me dy futbollistë të tjerë. Bëhet fjalë për Artim Pollozhanin, njërin prej futbollistëve me më shumë paraqitje në historinë e klubit, si dhe Demir Imerin.
Që të dyve ju ka skaduar kontrata me Shkëndijën, drejtuesit e së cilës skuadër nuk janë treguar të gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin.
Ata përmes një kumtesë kanë falënderuar që të tre futbollistët për kontributin e dhënë gjatë viteve të kaluara në Tetovë.
“Në vazhdën e përgatitjeve para përfaqësimit në eliminatoret e Liga Evropës, skuadra “kuqezi” në krye me trajnerin Qatip Osmani planifikojnë edhe fizionominë e ekipit për të ardhmen. Duke planifikuar angazhimin e përforcimeve të reja, e patjetërsueshme ishte ndarja me disa futbollistë. Pas skadimit të kontratave ka ardhur deri te ndarja me Artim Pollozhanin, Demir Imerin dhe Marko Jovanovskin.
Me këtë rast klubi ndjen përgjegjësinë e falënderimit publik për Artim Pollozhanin për kontributin e dhënë gjithë këto vite në skuadrën “kuqezi”, kur mes tjerash zhvilloi mbi 200 ndeshje zyrtare dhe mbetet një prej futbollistëve me më shumë paraqitje në historinë e klubit.
KF Shkëndija falënderon tani më edhe dy ish-futbollistët tjerë Jovanovskin dhe Imerin për kontributin e dhënë gjatë periudhës që ishin pjesë e skuadrës “kuqezi”, duke u dëshiruar gjitha të mirat në të ardhmen” – kishin shkruar nga klubi tetovar në faqen e tyre zyrtare.