Trajneri i Interit, Antonio Konte, pas humbjes që skuadra e tij e pësoi nga Juventusi mbrëmë, në intervistën e dhënë për “Sky Sport” tha se goli i parë i Aron Ramzi ishte ai që “zikaltërve” u dha një goditje të fortë dhe se nga ai moment nuk arritën dot të merrnin veten.
“Ishte një ndeshje e balancuar deri te goli i Ramsey. Pjesën e dytë e kishim nisur më mirë, por më pas goli ndryshoi gjithçka, mbi të gjitha në aspektin psikologjik. Besimi te Juventusi u rrit dhe e kundërta ndodhi te ne. Nuk ishim në gjendje ta kalonim atë moment. Diferenca jonë me Juventusin është 6 pikë, pa llogaritur ndeshjen me Sampdoria” – u shpreh fillimisht Antonio Konte, i cili gjithashtu theksoi se për momentin nuk mund të krahasohen me Juventusin, duke radhitur madje edhe argumentet.
“Po flasim për Juventusin, që u forcua çdo vit për tetë sezone, duke shtuar lojtarë me cilësi dhe me shumë përvojë, si dhe me trofe gjithashtu. Projekti ynë nisi vetëm 7 muaj më parë dhe po bëjmë më të mirën në aspektin e skuadrës, por nuk mund të krahasohemi me një skuadër që ka dominuar futbollin italian për tetë vite” – deklaroi Konte.
Për Interin ishte kjo disfata e dytë gjatë këtij edicioni në përballjet me Juventusin, pasi “Zonja e Vjetër kishte triumfuar edhe në “Xhuzepe Meaca” me shifrat 2:1 në ndeshjen e 6 tetorit të vitit të kaluar.