Galatasaraji është vënë në ndjekje të talentit kroat, Alen Haliloviç. Ish futbollisti i Barcelonës, i cili aktualisht është në kontratë me skuadrën gjermane të Hamburgut parapëlqehet nga drejtuesit e gjigandit turk, përfaqësues të së cilës skuadër kanë udhëtuar drejt Hamburgut për të biseduar lidhur me transferimin e tij në Stamboll.
Ka qenë vetë drejtori sportiv i Galatsarajit, Çenk Ergyn, ai i cili ka udhëtuar drejt Gjermanisë, për të biseduar me drejtuesit e Hamburgut për çështjen Haliloviç.
Nuk ka informacione si kanë rrjedhur bisedimet mes palëve, mirëpo mund të ndodhë që Hamburgu të huazojë talentin kroat te skuadra e Galatasarajit, njëjtë sikurse bëri edhe vitin e kaluar, kur e huazoi atë në Spanjë te skuadra e Las Palmas.
20-vjeçari Haliloviç i cili me Hamburgun ka kontratë deri verën e vitit 2020, te kjo skuadër erdhi në vitin 2016-të nga rradhët e Barcelonës. Edhe pse konsiderohej si një ndër talentët më të mëdhenj të futbollit evropian, kroati me origjinë boshnjake, nuk arriti që të dëshmojë cilësitë e tij në futbollin gjerman.
Ndryshe karrierën e tij profesionale e kishte nisur te Dinamo e Zagrebit, me të cilën skuadër kishte fituar dy tituj kampion, që më pas të bëjë një super transferim te Barcelona, skuadër kjo e cila e huazoi te Sporting Hihoni, njëjtë sikurse edhe Hamburgu që edicionin e kaluar e kishte huazuar te Las Palmasi.