Është vetëm 19-vjeçar, por tashmë e gjithë bota po flet për të. Bëhet fjalë për sulmuesin gjigand, Erling Braut Holand, që në afatin kalimtar të janarit kaloi nga Salzburgu te Borusia Dortmundi.
Te Salzburgu shkëlqeu me 29 gola në 27 paraqitje, por jo shumë besuan te talenti i 19-vjeçarit, ndoshta edhe për shkak të nivelit të Ligës.
Megjithatë, edhe në një ndër ligat më të forta në Europë, Bundesliga, por edhe në një ndër klubet si Borusia Dortmund, Holand sërish po tregon se është lindur për të shënuar dhe vetëm për të shënuar.
Në 7 paraqitje në Bundesligë ai ka shënuar 9 gola, kurse në 9 paraqitje në të gjitha garat, ai ka shënuar 12 gola, statistika këto që tregojnë më së mirin talentin e Holand, raporton Express.
Babai i lojtarit ka hedhur benzinë në zjarr gjatë ditës së sotme, duke thënë se djali i tij do të përshtatej shumë mirë në La Liga, duke i dhënë sinjale Barcelonës dhe Real Madridit, që nga vera e ardhshme do të kërkojnë të gjejnë sulmuesin ideal, pasi Antuan Grizman dhe Luka Joviç, nuk po tregojnë shumë në sezonin e parë në “Kamp Nou” dhe “Santiago Bernabeu”.