Koronavirusi pa dyshim se është tema e momentit edhe në botën e futbollit, përfshirë këtu edhe Ligën më prestigjioze europiane, Ligën e Kampionëve, që sonte prodhoi dy super përballje.
Në Francë, Lioni mirëpriti Juventusin, skuadër kjo që u përkrah nga rreth 3 mijë tifozë në tribuna, ndërsa prania e tifozëve italian kishte shkaktuar panik dhe ironi në Francë.
Radioja franceze, RTL kishte kaluar kufijtë, duke u tallur me tifozët e “Zonjës së Vjetër”, duke i cilësuar ata si tifozët e “Juvirusit”. Një batutë e pakëndshme që ka sjellë reagimin e menjëhershëm të italianëve, të Lapo Elkann, ndryshe nipi i familjes Anjelli dhe CEO i Fiatit.
“Në një moment kaq delikat për Italinë, nuk mund të flisni me këtë gjuhë. Turp t’iu vijë dhe duhet të kërkoni falje. Tifozët e Juventusit dhe italianët meritojnë respekt. Jeni pa dinjitet dhe pa nder“, ka shkruar Lapo Elkann.
Ndryshe ndeshja midis Lionit dhe Juventusit u mbyll me fitoren minimale 1:0 të ekipit francez, ashtu që kalimin në turin tjetër “bardhezinjtë” e Mauricio Sarrit do të duhet ta kërkojnë në ndeshjen e kthimit në Torino, që në program është pas 3 javësh.