Mauro Ikardi ende nuk e ka të qartë të ardhmen e tij, nëse do të vazhdoj me Paris Sen Zhermenin apo do të rikthehet te Interi.
Sulmuesi argjentinas aktualisht po luan në formë huazimi tek kampionët e Francës, drejtuesit e së cilës skuadër ende nuk kanë vendosur për blerjen përfundimtare të kartonit të tij nga Interi.
Kjo ka bërë që lojtari të mendojë edhe për klube të tjera që kanë shfaqur interesim për të.
Çelzi dhe Juventus janë dy skuadrat që kanë shfaqur interesim për shërbimet e Ikardit, pasi rikthimi i tij te Interi duket i vështirë duke parë se argjentinasi nuk pëlqehet nga trajneri Antonio Konte.
“The Sun” shkruan se londinezët janë duke monitoruar situatën e lojtarit dhe janë gati që të shpenzojnë 70 milionë euro për të në verë.
Frank Lampard dëshiron që ta ketë një top sulmues në skuadër dhe ka dhënë dritën e gjelbër për transferimin e Ikardit.
27-vjeçari edhe pse nuk është një titullar i rregullt te Parisi, në 28 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar 19 gola dhe ka bërë katër asistime, shifra këto të mjaftueshme për téë bindur edhe drejtuesit e skuadrës londineze.