Kombëtarja e Shqipërisë ka caktuar edhe një miqësore tjetër për muajin mars. Pasi tashmë që më herët është mësuar përballja me Slloveninë për me datë 30 mars, “kuqezinjtë” e Edi Rejës 3 ditë më herët (27 mars) do të përballen me San Marinon në transfertë.
Miqësorja është zyrtarizuar nga vetë Federata e këtij vendi, që pas Shqipërisë do të luajnë me Letoninë me 31 mars dhe kundër Italisë me 29 maj.
Sipas të gjitha gjasave në Kombëtaren A të Shqipërisë do të ketë ftesë edhe për Armando Brojën, që po vazhdon të shkëlqejë te Çelzi, ndërsa me shumë gjasa për herë të parë do të shohim në fushë edhe Florian Kamberin, futbollistin më të ri të Gllazgou Renxhers, që këtë herë nuk e ndalon asnjë pengesë për të mbajtur fanellën e Kombëtares së Shqipërisë.