Dy ditë pas fitores së bujshme kundër Juventusit, kapiteni i përfaqësueses së Kosovës, Amir Rrahmani në një prononcim për “Top Channel” tha se ëndërrën që nuk arriti ta bëjë realitet me Kombëtaren e Shqipërisë, për të qenë pjesë e Euro 2016-të, shpreson që ta realizojë me përfaqësuesen e Kosovës.
Ai e konsideroi fitoren e bujshme kundër Juventusit ditën e shtunë si një lloj “hakmarrjeje” pasi bardhezinjtë i kishin mposhtur në fazën e parë të kampionatit.
Fitorja me përmbysje kundër Juventusit: “Të luash ndaj këtyre klubeve është gjithmonë e vështirë. Juventus na mundi ndeshjen e parë 2:1 kështu që është pak a shumë si hakmarrje për ne”
Objektivat e Veronës në këtë sezon: “Nëse një futbollist shqiptar luan mirë, atëherë ai i hap derën edhe futbollistëve të tjerë, edhe Lacio siç u ka hap derën futbollistëve shqiptarë, edhe këtu e kanë derën e hapur. Vendimi ishte i Veronës sepse e kishim një objektiv të përbashkët që të qëndronim në ‘Serie A’, por tani mendoj se ky objektiv është rrit. Edhe pse ende nuk është e sigurtë mbijetesa, duke qenë se jemi në vendin e gjashtë kanë ndryshuar synimet tona”.
Ëndrra e Rrahmanit: “Skuadrat kombëtaret të vogla e kanë ëndërr kampionatin europian ose botërorin. Unë ëndërroja ta realizoja me Shqipërinë por nuk u realizua, tani pres ta arrij me Kosovën”, – përfundoi Rrahmani, i cili së bashku me mbrojtësin e Shqipërisë, Marash Kumbulla kanë formuar një mur të fortë në mbrojtjen e Veronës.