Portugezi Kristiano Ronaldo vazhdon të thyej rekorde në Itali. Edhe pse vetëm para disa ditëve mbushi 35 vjet, Ronaldo nuk ndalon së shënuari në “Serie A”. Ai shënoi edhe sonte ndaj Veronës në transfertë, mirëpo për fat të keq në fund “Zonja e Vjetër” u mund me shifrat 2:1. Megjithatë Ronaldo mund të lëvdërohet me faktin se është një ndër futbollistët e rrallë që shifrën e 50 golave të shënuar e ka arritur në 70 ndeshje të zhvilluara.
Më herët se ylli portugez këtë shifër të golave e kishte arritur vetëm ylli ukrainas, Andrij Shevçenko, i cili 50 gola kishte realizuar në 69 ndeshje.
Luis Nazario da Lima Ronaldo 50 gola kishte bërë në 77 ndeshje, Marko Van Basten (83 ndeshje), Mishell Pllatini (84 ndeshje) dhe Gabriel Batistuta në 85 ndeshje.
Aktualisht Ronaldo me 20 gola të shënuar renditet në pozitën e dytë në listën e golashënuesve në “Serie A”, aty ku udhëheq sulmuesi i Lacios, Çiro Imobile me 25 gola të shënuar.