Gjithçka që ndodh rreth Lionel Mesit, tërheq vëmendjen e skuadrave të mëdha në Europë. Krisja që pati kapiteni i Barcelonës me sekretarin teknik Erik Abidal është një mundësi e mirë që ekipet e tjera të përfitojnë dhe të ëndërrojnë transferimin e yllit argjentinas.
Sipas ekspertit të merkatos Fabricio Romano, kanë qenë 4 ekipe që kanë telefonuar menjëherë babain e Mesit, i cili njëkohësisht është edhe menaxheri i tij për ta pyetur rreth situatës. Bëhet fjalë për Mançester Junajtedin, Mançester Sitin, Interin dhe Bajernin e Munihut.
Për momentin nuk ka asnjë shenjë që Leo dëshiron të largohet nga “Kamp Nou”, por thuhet se po kalon momentin më të vështirë që nga koha kur ka veshur këtë fanellë. Ai është i vetëm në luftën për ta rikthyer ekipin triumfues në Ligën e Kampionëve. Ish-futbollisti i Barcelonës, Lobo Karrasko, thotë se e sheh Leon larg “katalunasve”. “Kjo është hera e parë që e shoh me një këmbë jashtë skuadrës”, ka thënë ai gjatë një emisioni sportiv.
Ndërkohë “Guardian” ka zbuluar se sulmuesi argjentinas ka një klauzolë të veçantë me Barcelonën, aty ku është e paraparë që ai mund të largohet falas në fundin e sezonit dhe vetëm me vendim të njëanshëm.