Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Rei Manaj po jeton një ëndërr. Shumë pak futbollistë në botë e kanë fatin që të stërviten përkrah super yllit botëror, Lionel Mesi dhe shqiptari këtë ëndërr e bëri realitet ditën e djeshme.
Sot shpreson që të zbresë në fushën e lojës, por dje punoi me yllin botëror në prag të ndeshjes së Kupës së Mbretit kundër Leganesit.
Me Luis Suarez të dëmtuar, Dembelen ende me “pushime” dhe Karles Perez që ka shkuar te Roma, trajneri Setien i ka dhënë mundësinë Manajt që të stërvitet me skuadrën e parë.
Për këtë gjë, media e njohur spanjolle “As”, i ka kushtuar hapësirë, sulmuesit shqiptar që u stërvit ditën e djeshme me Mesin dhe yjet e tjerë të skuadrës.
“Situata e çuditshme dhe befasuese te Barcelona, e ka detyruar trajnerin Setien, të thërrasë një sulmues që sapo iu bashkua Barcelonës B, nga Albacete, pasi kishte luajtur edhe me Interin. Emri i tij: Rei Manaj, 22 vjeç, lojtar që kishte mundësinë të stërvitej me skuadrën e parë, para ndeshjes për Kupë me Leganesin. Do të ishte padyshim risia e madhe në listë, aty ku prania e lojtarëve të ekipit të dytë, merret si e mirëqenë”, shkruan “As” për sulmuesin shqiptar, i cili ditë më parë bëri edhe debutimin e tij në ligën e tretë spanjolle me ekipin B të Barcelonës.