Gostivari gjatë ditës së sotme ka zhvilluar edhe miqësoren e dytë në prag të stinorit pranveror në Ligën e Dytë – Perëndim, njofton “infOSport.mk”.
Pas Renovës, kësaj rradhe kundërshtarë i skuadrës së trajnerit Biroll Topçiu ishte skuadra kosovare e KEK-ut, që garon në Ligën e Parë.
Ndeshja u zhvillua në Ohër, ndërsa e njëjta doli të jetë shumë efikase, pasi aktorët në fushën e blertë dhuruan plotë 7 gola.
Pjesa e parë u takoi miqëve nga Kosova, të cilët në pushim shkuan me shifrat 3:1, falë golave të shënuar nga Besart Dushi, Enis Zabërgja dhe Rilind Nimani, ndërsa golin e vetëm në këtë pjesë për Gostivarin e realizoi, Hristijan Ristovski.
Megjithatë krejtësisht një Gostivar tjetër pamë në fushë gjatë pjesës së dytë, e ku në qendër të vëmendjes doli të jetë përforcimi më i fundit, Lavdrim Skenderi.
Ky i fundit realizoi dy gola në këtë pjesë, ndërsa një gol tjetër që rrumbullaksoi fitoren e parë të Gostivarit në kuadër të ndeshjeve miqësore, e realizoi Hakan Limani, transmeton “infOSport.mk”.
Kujtojmë Gostivari në ndeshjen e parë kontrolluese ishte mundur nga Renova (0:2), ndërsa KEK-u në takimin e parë miqësorë me rezultatin 2:0 kishte mundur Ferizajin nga Superliga e Kosovës.