Numri 1 i botës Rafael Nadal vazhdon të bëjë përpara pa probleme në Melbourne Park dhe finalisti i vitit të kaluar kaloi pa vështirësi tenistin argjentinas Federico Delbonis, duke u kualifikuar në këtë mënyrë për në raundin e tretë të edicionit të 108 të Australian Open. 33-vjeçari spanjoll pati privilegjin për të mbyllur programin e ditës së katërt në fushën qendrore Rod Laver Arena dhe në fakt kampioni i vitit 2009 i këtij kompeticioni respektoi parashikimet, duke mundur numrin 76 të botës në vetëm tre sete.
Rafa bëri më shumë gabime se zakonisht dhe e përfundoi takimin me 33 goditje fituese dhe 29 gabime, për të mbyllur sfidën 6-3, 7-6, 6-1 në dy orë e gjysmë lojë, ndeshje ku për hir të së vërtetës tenisti i famshëm iberik nuk i dha qoftë edhe një mundësi të vetme për break kundërshtarit. Nadali ka fituar vërtet 5 nga 11 turnetë e fundit Slam në tre vitet e fundit, por gjithsesi në Melbourne Park i mungon suksesi prej më shumë se një dekade, ndonëse ka qenë finalist në 2 nga 3 edicionet e fundit.
Po në fushën qendrore luajti gjithashtu edhe numri 7 i klasifikimit të përgjithshëm ATP Alexander Zverev. Sascha vuajti më shumë nga ç’pritej për të kaluar në turin e dytë tenistin nga Bjellorusia, numrin 98 të botës Egor Gerasimov me shifrat 7-6, 6-4, 7-5, ndeshje ku 22-vjeçari gjerman e përfundoi takimin me plot 39 goditje fituese. Në turin e tretë tenisti me origjinë ruse do të përballet me mëngjërashin spanjoll Fernando Verdasco, që nga ana e tij përmbysi disavantazhin e një seti dhe të një game me break, për të mposhtur në katër sete numrin 29 të botës, gjeorgjianin Nikoloz Basilashvili. Në Margaret Court Arena i pari që zbriti në fushë nga meshkujt ishte numri 4 i renditjes ATP Daniil Medvedev.
Tenisti rus që katër muaj e gjysmë më herët u thye në pesë sete në finalen e Slemit Njujorkez nga spanjolli Rafael Nadal u shfaq tepër nervoz në setin hapës, megjithatë 23-vjeçari moskovit e mblodhi shpejt veten për të triumfuar në fund me rezultatin 7-5, 6-1, 6-3, në diçka më tepër se dy orë lojë ndaj tenistit iberik, numrit 168 të botës Pedro Martinez. Në sesionin e mbrëmjes në fushën e dytë për nga rëndësia kampioni i vitit 2014 në Australian Open Stan Wawrinka djersiti jashtëzakonisht shumë për të kaluar veteranin italian Andreas Seppi.
34-vjeçari nga Lozana që aktualisht pozicionohet i 15 në rruzull përmbysi disavantazhin e setit të parë, për të mundur 6-4 në setin final tenistin nga Bolzano, në një ndeshje që zgjati më shumë se tre orë e gjysmë dhe ku Wawrinka e përfundoi sfidën me 54 goditje fituese dhe plot 65 gabime. Në fazën tjetër Stan do të masë forcat me gjigantin amerikan John Isner. Numri 19 në planet përfitoi edhe nga shorti i lehtë për të kaluar provën e radhës pa probleme në vetëm tre sete dhe për të shkatërruar me 32 ace në më pak se një orë e gjysmë lojë, numrin 208, tenistin nga Kili Alejandro Tabilo.
Në Melbourne Arena siguroi gjithashtu të drejtën për të kaluar mes 32 më të mirëve të këtij edicioni në Australian Open me radhë edhe dyshja Dominic Thiem – Nick Kyrgios. Kualifikimi i tyre megjithatë ishte shumë i ndryshëm, pasi numri 5 i botës pati nevojë për plot pesë sete për të mundur tenistin vendas Alex Bolt. 26-vjecari austriak përmbysi disavantazhin 2-1 me sete dhe përfitoi edhe nga 60 gabimet e kundërshtarit të tij, për të dominuar në vijim dy setet e fundit, sete ku tenisti vendas që renditet i 140 në planet mezi bëri tre game bashkë. Më e thjeshtë fitorja e tenistit problematik vendas Nick Kyrgios që mposhti në katër sete numrin 61 të botës, 35-vjecarin francez Gilles Simon, duel në të cilin tenisti me origjinë greke regjistroi plot 28 ace.
Te femrat privilegjin për të luajtur në Rod Laver Arena e pati numri 3 i botës Simona Halep dhe finalistja e vitit 2018 në Australian Open mundi pa shumë vështirësi 6-2, 6-4 raketën e 173 në botë, britaniken Harriet Dart, ndërkaq në Margaret Court Arena kampionia e vitit 2016, 32-vjeçarja gjermane Angelique Kerber që për momentin ka rrëshqitur në vendin e 18 në klasifikimin e përgjithshëm ËTA mposhti lehtë 6-3, 6-2 tenisten vendase Priscilla Hon.