Edhe pse futbolli është një lojë sporti, si duket për serbet nuk vlen një gjë e tillë, madje edhe kur bëhet fjalë për një ndeshje miqësore.
Dy futbollistët serb të Jagiellonias, Ognjen Mudrinski dhe Mile Savkoviç, në mënyrë të pabesueshme kanë refuzuar të paraqiten në ndeshjen e djeshme ndaj skuadrës kosovare të Ballkanit, në miqësoren që këto dy skuadra e zhvilluan dje në Turqi, aty ku po i zhvillojnë përgatitjet kryesore në prag të stinorit pranveror.
Mudrinski e ka konfirmuar këtë lajm, duke thënë se vendimin e morën pas bashkëbisedimit edhe me shtabin teknik.
“Së bashku me stafin teknik ne kemi vendosur që të mos e luajmë këtë ndeshje”, deklaroi Mudrinski.
Ata ndoqën hapat e shumë lojtarëve serbë, të cilët kryesisht pas presionit nga Beogradi, kanë refuzuar të luajnë ndaj Përfaqësueses së Kosovës apo ndaj skuadrave kosovare në Evropë.
Ndryshe, ndeshja e zhvilluar dje në Turqi midis polakëve të Jagiellonia dhe Ballkanit u mbyll me barazim spektakolar, 3:3.