NK Triglav nga Kranj i Sllovenisë është skuadra e re e mesfushorit me tipare sulmuese nga Tetova, Berat Beqiri. 23 vjeçari i lindur në Kopenhagen të Danimarkës në elitën e futbollit slloven kalon nga Shkëndija e Tetovës, më të cilët sezonin e kaluar doli kampion i Maqedonisë së Veriut.
Angazhimin e Beqirit e ka konfirmuar edhe skuadra sllovene përmes faqes zyrtare dhe rrjeteve sociale, me shqiptaro-danezin që bëhet përforcimi i katërt i kësaj merkato për NK Triglav Kranj.
“Ndjehem i lumtur që bëhem pjesë e NK Triglav. Do të bëj çmos që të ndihmoj ekipin për të arritur qëllimet e vendosura. Shpresoj që besimin e klubit ta arsyetoj me shumë gola dhe asiste, por në rradhë të parë dua të luaj mirë unë dhe ekipi për t’u ngjitur sa më lartë në renditje”, është shprehur Berat Beqiri në deklaratën e tij të parë si lojtar i NK Triglav.
Në prezantimin e Beqirit para ndjekësve të tyre nga NK Triglav potencojnë se futbollisti i gjatë 185 centimetra është produkt i Akademisë së FC Kopenhagenit të Danimarkës, me të cilët luajti në Champions League për të rinjë, madje që sipas tyre interesant është fakti që asokohe tetovari ka luajtur bashkë me reprezentuesin e Sllovenisë, Benjamin Verbiç.
Në Danimarkë, Beqiri ka luajtur edhe me Naestved dhe Avarta, ndërsa para se të shkonte në Kranj në sezonin vjeshtor me Shkëndijën u paraqit në pesë takime ku regjistroi një asist. Berat Beqiri në të kaluarën ishte pjesë e kombëtareve të shpresave të Shqipërisë.
Berat Beqiri është bashkuar me NK Triglav që në start të përgatitjeve të dimrit, duke u paraqitur në ndeshjen kontrolluese me Domzhalen. Pikërisht kjo ndeshje do të ishte vendimtare për firmosjen e tij me NK Triglav, pasi u dallua me një sërë lëvizjesh efikase në fitoren 4:3 të skuadrës së tij.