Vllaznia e Shkodrës që udhëhiqet nga ish seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë, Mirsad Jonuz, thuhet të ketë arritur marrëveshje me sulmuesin Eugen Sidorenko, që vjen nga rradhët e skuadrës së Zmbru nga Moldavia.
30-vjeçari më së shumti luan në krah dhe nuk është se shquhet për numrin e golave, ndërsa gjithashtu është pjesë e kombëtares së Moldavisë, për të cilën numëron 35 ndeshje dhe 7 gola të shënuar.
“Ekipi ka vijuar edhe ditën e djeshme procesin stërvitor duke zhvilluar seancën e radhës në përgatitoren që është duke zhvilluar në Ohër. Ndërkohë, në orët e vona të mbrëmjes është bashkuar me ekipin në hotel “Belvedere” edhe sulmuesi Eugen Sidorenco. Drejtuesit e klubit kanë arritur një marrëveshje paraprake me lojtarin e kombëtares moldave dhe në ditët në vijim pritet që ajo të konkretizohet me hedhjen e firmës në kontratë. Sidorenco sakaq në orën 11.00 do të bashkohet me ekipin në stërvitje duke zhvilluar seancën e parë me kuqeblutë”, – njofton klubi i Vllaznisë, pjesë e së cilës në pranverë do të jenë edhe Mevlan Adili i FC Shkupit dhe Simeon Hristov i Borecit, i cili gjithashtu pritet që të zezën mbi të bardhë ta vendos pas rikthimit të skuadrës në Shkodër.