Xhanluixhi Donaruma është i lidhur me Milanin deri më 30 qershor 2021, mirëpo një ofertë prej 9 milion euro në vit për gardianin italian, mund të ndryshojë gjërat. Këtë shumë të majme, edhe atë për kontratë 5-vjeçare është i gatshëm ta ofrojë Juventusi, që do e bënte portierin më të shtrenjtë në Botë.
Një shifër kjo shumë herë më e lartë sesa 6 milionët që Donaruma aktualisht përfiton te Milani.
Gjithsesi, më shumë sesa paga, edhe pse për një menaxher si Mino Raiola mirëqenia e klientëve të tij është parësore, fakti që deri më sot Donaruma nuk ka luajtur ende ndeshjen e tij të parë në Ligën e Kampioneve, është një çështje prestigji që nuk mund të anashkalohet më.
Vërtet portieri italian është vetëm 20 vjeç, por fakti që ai është titullari i Milanit dhe aq më i shumë i kombëtares së Italisë, e shtyn agjentin që të lëshojë një prej “diamantëve” më të rëndësishëm të skuderisë së tij në arenën e rëndësishme ndërkombëtare, atë të cilën mund t’ia ofrojë me siguri Juventusi, por Milani vështirë se mund t’ia dalë sivjet apo qoftë edhe sezonin e ardhshëm, pasi zona Çampions është shumë larg, duke parë renditjen aktuale. Prandaj, Donaruma dhe Juventusi, shtyrë edhe nga 9 milion eurot në sezon, është një akord që duket drejt mbylljes.